Reperi kanadez Drake ka ngritur shumë pikëpyetje në rrjetet sociale pasi publikoi një seri fotosh të reja, ku një detaj ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e shqiptarëve.
Në një nga imazhet, shihet një grup burrash të ulur rreth një tavoline pokeri, të veshur me xhaketa të kuqe që mbajnë shqiponjën dykrenare, simbolin kombëtar të Shqipërisë. Atmosfera është e errët, me dritë të ulët dhe estetikë që të kujton skena filmash gangsterësh, duke i shtuar edhe më shumë mister postimit.
Ndryshe nga fotot e tjera të serisë, ky imazh ka hapur diskutime të shumta mes fansave, të cilët po përpiqen të zbulojnë nëse bëhet fjalë për një referencë kulturore, një mesazh të fshehur, apo thjesht një zgjedhje stilistike.
Drake e ka shoqëruar postimin me mbishkrimin enigmatik “Mbetet akoma personale…”, duke ndezur dyshimet se mund të jetë duke paralajmëruar një projekt të ri muzikor, ku përdor imazhe të forta vizuale për të krijuar atmosferë dhe pritshmëri.
Përdorimi i simboleve identitare dhe skenave dramatike është kthyer tashmë në një pjesë të estetikës së tij promovuese.
Ashtu si herët e tjera, reperi nuk ka dhënë asnjë shpjegim shtesë, duke lënë hapësirë për interpretime dhe spekulime të shumta nga ndjekësit në rrjetet sociale