Ylli i muzikës pop Dua Lipa ka dalë fitimtare në një çështje të rëndësishme ligjore që lidhet me megahitin e saj, “Levitating”. Një gjykatës federal në New York ka rrëzuar një padi për shkelje të të drejtave të autorit ndaj shtëpisë diskografike Warner Records dhe Dua Lipa-s, duke vendosur që kënga “Levitating”, e publikuar në vitin 2020, nuk ka kopjuar në mënyrë të paligjshme një këngë disko të vitit 1979. Gjykatësja Katherine Polk Failla ka dhënë një vendim përfundimtar në favor të Lipa-s dhe bashkëpaditurve të saj, duke konstatuar se paditësit nuk arritën të provonin ngjashmëri të konsiderueshme midis elementeve të mbrojtura të veprave.
Ndër bashkëpaditurit ishin kompanitë ‘Sony Music Publishing (US) LLC’, ‘Universal Music Corporation’ dhe ‘Warner Records Inc’, si dhe bashkëautorët e “Levitating”, Clarence Coffee, Jr., Sarah Hudson dhe Stephen Kozmeniuk. “Gjykata përfundimisht arrin në përfundimin se nuk mund të ketë ngjashmëri të konsiderueshme sipas ligjit, sepse ‘ngjashmëria midis veprave ka të bëjë vetëm me elemente që nuk mbrohen nga të drejtat e autorit të veprës së paditësve’”-shkroi gjykatësja Failla.
Dua Lipa është një nga emrat më të njohur në industrinë muzikore dhe tani ka arritur një pasuri të jashtëzakonshme që kalon 100 milionë paundë. Sipas të dhënave nga “The Sun”, ajo ka fituar mbi 12 milionë paundë gjatë vitit 2024, falë sukseseve të saj në festivalin Glastonbury, albumit të ri dhe koncerteve të shumta, përfshirë ato që do të zhvillohen në Wembley, ku biletat u shitën menjëherë.
Përveç karrierës muzikore, Lipa ka krijuar një imperium të suksesshëm me kompanitë e saj. Firma “Radical22”, e cila merret me shitjet e albumeve, ka raportuar një fitim prej 10.4 milionë paundësh, ndërsa “Radical22Live”, që menaxhon turnetë e saj, ka siguruar 1.8 milionë paundë. Pasuria e saj ishte raportuar vitin e kaluar në 90 milionë paundë nga lista e pasurisë së “Sunday Times”, por tani ajo ka arritur në 102.2 milionë paundë.