Health & Beauty Lifestyle

Duart tregojnë më shumë se mendonim? Shenjat e hipotiroidizmit që nuk duhet t’i injoroni!

Tiroidja është një gjëndër e vogël, por me ndikim të madh, e vendosur në pjesën e përparme të qafës dhe e formuar si flutur.

Ajo prodhon hormonet T3 dhe T4, të cilat janë përgjegjëse për metabolizmin, energjinë, temperaturën e trupit dhe funksionimin e shumë organeve.

Kur kjo gjëndër nuk prodhon mjaftueshëm hormone, shfaqet gjendja e quajtur hipotiroidizëm.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë lodhjen e vazhdueshme, shtimin në peshë, kapsllëkun, depresionin dhe përgjumjen. Por disa shenja mund të vërehen edhe lehtësisht vetëm nga duart tuaja.

Një nga treguesit më të zakonshëm është ftohtësia e vazhdueshme e duarve, e cila lidhet me qarkullimin e dobët të gjakut. Aktiviteti i ulët i tiroides rrit nivelet e homocisteinës, një aminoacid që mund të ndikojë në probleme kardiovaskulare dhe qarkullim të dobët.

Gjithashtu, lëkura e duarve mund të bëhet e thatë dhe e rrudhur. Rrudhat dhe vijat e holla bëhen më të dukshme për shkak të ngadalësimit të metabolizmit dhe mungesës së hidratimit. Një tjetër shenjë e dallueshme është ngjyra e verdhë e pëllëmbëve, që lidhet direkt me uljen e hormoneve tiroide.

Edhe thonjtë mund të japin sinjale të rëndësishme: bëhen të brishtë, humbasin shkëlqimin dhe thyhen lehtësisht.

Në disa raste, hipotiroidizmi mund të favorizojë edhe onikomikozën, një infeksion mykotik të thonjve, për shkak të qarkullimit të dobët në gjymtyrë.

Specialistët rekomandojnë që çdo ndryshim i pazakontë në duar apo thonj të mos neglizhohet dhe të kërkohet konsultë mjekësore për diagnozë dhe trajtim në kohë, pasi identifikimi i hershëm i hipotiroidizmit ndihmon në parandalimin e komplikimeve serioze.