Aktualitet

Dy vite me koronavirusin në Shqipëri, pandemia drejt shuarjes!

Sot u mbushën dy vite nga konfirmimi i dy rasteve të para me koronavirus në vendin tonë e deri tani, Shqipëria numëron 1 mijë e 182 të infektuar e 3 mijë e 483 viktima.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “kur faza akute e pandemisë së COVID-19 duket drejt shuarjes, sfida jonë nuk ka përfunduar, por do të vijojmë përpjekjet pa u ndalur me Programin Kombëtar të Vaksinimit si e vetmja rrugë për të mbyllur një herë e mirë faqen me pandeminë”.

Në aktivitetin e organizuar në 2-vjetorin e pandemisë në Shqipëri, Manastirliu u shpreh se “nuk duhet të harrojmë asnjëherë vështirësitë dhe nuk mund të harrojmë më kë i kemi kaluar”.

Në fakt një krizë e tillë e jashtëzakonshme është në vetvete një tërësi momentesh delikate të vështira, por të jashtëzakonshme. Dhe të tilla i bën lufta për jetën.

Ministrja theksoi se “nëse nuk do të kishim forcuar përgjatë gjithë viteve të fundit infrastrukturën e sistemit tonë shëndetësor, përballja me atë çfarë solli pandemia do të ishte gati një mision i pamundur”.

Edhe në mesin e zjarrit të akuzave shpeshherë të pabaza deri në kufijtë e absurdit e kam thënë gjithmonë se bilancet bëhen në fund të luftës. Për fatin tonë të keq ne nuk u gjendëm thjesht përballë një pandemie. Ne u gjendëm përballë edhe një infodemie, një gjoja ekspertodemie, një shifrademie dhe grafikodemie. Siç ndodh gjithmonë brenda natës, shtimi i rasteve u shoqërua me shumëfishimin e gjoja ekspertëve të zhurmshëm.

Ministrja theksoi se “tani është një moment për të nisur ridimensionimin e sistemit shëndetësor nën dritën e mësimeve të mësuara nga pandemia”.

Komiteti Ekspertëve vijon të jetë në ndjekje dinamike të situatës në vend pavarësisht se sot vlerësohet si situatë nën kontroll siç vlerësohet edhe se shifrat e infektimeve dhe shtrimeve në spital janë drejt një trendi në ulje, duke shpresuar gjithmonë se një variant i ri nuk do na çojë në alertim.