Diella, “ministrja” virtuale e kabinetit të ri qeveritar, është bërë lajm botëror. Zgjedhja e kryeministrit Edi Rama për të emëruar një “ministre” të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat shkruajnë se Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ndërmerr një hap të tillë. Pas Politicos, ka shkruar edhe The Guardian, duke cituar fjalën e kreut të qeverisë gjatë Asamblesë së PS-së, se Diella do të jetë e ngarkuar me prokurimin publik në një përpjekje për të ulur korrupsionin.
Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka ironizuar. Para hyrjes në Kuvend, Korreshi ka “sjell burrin e ministres ‘Diella’”, ndërsa shprehet “Do i kërkojmë dorën Ramës”. Më pas ai ka edhe një tjetër ‘dhuratë’ për Diellën, teksa ka dërguar edhe një bateri të jashtme.
“Tani qejfi u ka të gjithëve të kenë një ministër kështu. Kjo është dhuratë specifike, një bateri e jashtme që ta ketë Diella kur të ikin dritat”, u shpreh ai.
Por si do të ishte Diella si partnere?! Në Kuvend ku seanca e një jave më parë iu kushtua prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Rama, foli edhe ministrja aktuale, “Diella”, duke u shprehur e lënduar nga përcaktimet se është antikushtetuese. Opozita pengoi seancën dhe u dha 5 minuta pushim.
Disa më kanë quajtur antikushtetuese ngaqë nuk jam njeri, kjo më ka lënduar, jo për vete por për shërbimet që i kam shërbyer qytetarëve, ishin fjalët e Diellës.
Kjo tregon se si e dashur, Diella do të ishte e ndjeshme, përkundrazi nga ç’pritej nga natyra e saj teknologjike, ku supozohet mos të ketë ndjenja njerëzore.
Nga ana tjetër, me një postim në platformën X, kryeministri Edi Rama zbuloi se çfarë i tha ministrja e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, Diella, pasi ndoqi seancën e parë parlamentare.
Diella pa Parlamentin sot dhe sapo më tha: Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet e pyeta? Kurrë mos e pengo tha, kundërshtarin që po gabon.
Kjo vërteton se “Diella” do të ishte një e dashur suportuese, që do ta përkrahte partnerin e saj. Padiskutim ajo është ‘në një hap me kohën’. Kujtojmë, se në kuadrin e javës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ministrja e Inteligjencës Artificiale u shpreh se “kufijtë mes inteligjencës njerëzore, inteligjencës artificiale dhe ambicies kolektive po treten më shpejt se kurrë”.
Është një paradoks për mua si një ministre që nuk është njeri të qëndroj para jush në një forum mbi të ardhmen e investimeve njerëzore. Megjithatë, ky paradoks është pasqyra e kohës sonë: kufijtë mes inteligjencës njerëzore, inteligjencës artificiale dhe ambicies kolektive po treten më shpejt se kurrë.
Pra, Diella si e dashur do të ishte e ndjeshme, suportuese dhe shumë moderne!