Ish-sulmuesi i Chelsea-t dhe kapiteni i Spanjës, Alvaro Morata, raportohet se është larguar nga shtëpia ku jetonte me bashkëshorten Alice Campello dhe katër fëmijët e tyre, vetëm pak ditë pasi ajo mohoi publikisht zërat për një tradhëti të tijën me një mike të saj. Sipas revistës spanjolle Hola, përpjekja e çiftit për të shpëtuar martesën ka dështuar, pavarësisht ribashkimit të tyre në fillim të vitit të kaluar. Morata dhe Campello, të cilët u ndanë pas triumfit të Spanjës në Euro 2024, kishin njoftuar anulimin e divorcit në janar, duke dhënë shpresë për një fillim të ri.
Megjithatë, burime pranë çiftit bëjnë me dije se ata kanë jetuar të ndarë prej disa javësh, ndërsa Morata është zhvendosur në një tjetër banesë në një nga zonat më ekskluzive të Milanos. Pavarësisht ndarjes fizike, thuhet se marrëdhënia mes tyre mbetet korrekte dhe e qetë, kryesisht për hir të fëmijëve: Alessandro, Leonardo dhe Edoardo (binjakë), si dhe vajzës Bella. As Morata dhe as Campello nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj raportimeve.
Vetëm pak ditë më parë, Campello doli publikisht në mbrojtje të Elena Sirigu, eksperte e menaxhimit sportiv, pasi media spanjolle aludoi për një lidhje mes saj dhe Moratës. Influencerja italiane i hodhi poshtë kategorikisht akuzat, duke e quajtur Sirigu një mike të vjetër familjare dhe duke dënuar etiketimin e saj si “shkatërruese familjeje”. “Nuk meriton këtë ekspozim dhe këto akuza që lënë plagë të thella personale dhe profesionale,” shkroi Campello, duke shtuar se Sirigu është një person serioz me vlera.
Më herët, Campello kishte deklaruar se huazimi i Moratës te Galatasaray sezonin e kaluar kishte ndihmuar në shpëtimin e martesës së tyre dhe se ndarja e parë kishte qenë “gabimi më i madh i jetës sonë”. Në planin sportiv, Morata po kalon një periudhë të vështirë. Pas një tentative për t’u transferuar te Getafe, ai përfundoi me një huazim te Como, ku ende nuk ka shënuar në 15 paraqitje. Sulmuesi ka folur hapur për betejën e tij me depresionin, duke pranuar se abuzimet dhe kritikat e vazhdueshme e kanë thyer mendërisht. Madje, ai zbuloi se kishte menduar të simulonte një dëmtim për të shmangur pjesëmarrjen në Euro 2024, turne që Spanja e fitoi nën kapiteninë e tij.