Një studim i publikuar në Medicine & Science in Sports & Exercise ka hedhur dritë mbi një nga dilemat më të zakonshme: a rritet oreksi pas stërvitjes?
Rezultatet tregojnë diçka surprizuese: njerëzit që ushtroheshin nuk hanin më shumë se zakonisht.
Edhe pse pas stërvitjes u ofrohej një drekë e bollshme në formë bufeje, pjesëmarrësit konsumonin pothuajse të njëjtën sasi ushqimi si në ditët kur nuk bënin aktivitet fizik.
Studimi përfshiu 24 persona me peshë të tepërt, të moshës 18–55 vjeç, të cilët nuk ishin shumë aktivë. Ata kryenin 45 minuta aktivitet fizik, si ecje e shpejtë ose ngritje e lehtë peshash, përpara se të hanin drekë.
Sipas Tanya Halliday, faktorë të tjerë si aroma dhe shija e ushqimit mund të ndikojnë më shumë në sasinë që konsumojmë sesa vetë ushtrimet.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga tejngrënia pas aktivitetit fizik, pasi trupi nuk reagon automatikisht duke rritur oreksin.
Çfarë ndodh në trup?
Shkenca jep disa shpjegime interesante:
-Përshtatja metabolike: Trupi përpiqet të ruajë ekuilibrin dhe mund të ngadalësojë metabolizmin pas djegies së kalorive.
-Hormonet e urisë: Ushtrimet ndikojnë te ghrelina dhe leptina, duke ulur përkohësisht ndjesinë e urisë.
-Kompensimi i pavullnetshëm: Pas stërvitjes, shumë persona bëhen më pak aktivë gjatë ditës, duke balancuar energjinë e shpenzuar.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky është një studim me përmasa të vogla dhe me ushtrime të moderuara, ndaj efektet mund të ndryshojnë tek personat që stërviten rregullisht.
Përfundimi? Ushtrimet nuk janë “armiku” i dietës suaj, përkundrazi, ato mund të ndihmojnë pa ju shtyrë të hani më shumë se ç’duhet.