Kompania “Electronic Arts” ka vendosur që të mos prodhojë më videolojërat FIFA. Kjo do të jetë hera e parë që nga viti i largët 1993, që EA Sports dhe FIFA nuk do të jenë bashkë për simulatorin e famshëm të futbollit. Edhe pse është një nga videolojërat më fitimprurëse në histori, kostoja e blerjes së licencës ka qenë një nga arsyet që e ka mbyllur bashkëpunimin mes ‘Electronic Arts’ dhe FIFA.

EA ka sqaruar se do të vijojë të prodhojë videolojërat e futbollit, por që nga viti 2023 do t’i sjellë ato me emrin EA Sports FC. Për BBC, zv/presidenti i EA Sports, David Jackson, është shprehur se kompania mendon se ka ardhur koha për të ndërtuar një markë që shikon nga e ardhmja.

Rikujtojmë se disa vite më parë, OBSH ka kataloguar zyrtarisht varësinë nga videolojërat si një sëmundje të njohur, duke rivijëzuar edhe karakteristikat. Sipas OBSH, varësia nga videolojërat mund të manifestohet si në rastet e eksperiencave online ashtu edhe në lojërat me një lojtar të vetëm dhe përmban simptomat e mëposhtme: Vështirësi për të kontrolluar kohëzgjatjen në lojë; prioritet më të madh të lojës të cilës i jepet precedencë përballë interesave të tjera dhe aktiviteteve të përditshme.
Varësia nga videolojërat, është përfshirë edhe në klasifikimin statistikor ndërkombëtar të sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore. Psikologët prej kohësh kanë dhënë alarmin për varësinë e fëmijëve nga videolojërat. Ata këshillojnë prindërit të kujdesen më shumë për të vegjëlit pasi varësia në rritje nga lojërat teknologjike, mund të sjellin çrregullime serioze tek ta. Sipas ekspertëve, këta fëmijë fillojnë të kenë problem në marrëdhëniet familjare. U prishet gjumi, kanë një zhvillim më të ngadaltë fizik dhe psiqik pasi bëhen më të mbyllur në vetvete.