Tech

“Ekrani i kaltër i vdekjes” i Windows së shpejti do të bëhet i zi!

Microsoft së shpejti planifikon të ndryshojë “Ekranin e Kaltër të Vdekjes”, një detaj që për 40 vjet u ka treguar përdoruesve gabime të mëdha në sistemin kompjuterik. Siç raportohet, Microsoft më parë njoftoi se do të rishikonte BSOD-in në Windows 11 dhe kompania konfirmoi se kodi i gabimit së shpejti do të njihet si “Ekrani i Zi i Vdekjes”. Dizajni i ri lë jashtë ngjyrën tradicionale të kaltër, në favor të një ekrani të zi të thjeshtuar. “Ky është me të vërtetë një përpjekje për të sqaruar dhe ofruar informacion më të mirë dhe për të na lejuar neve dhe klientëve të shkojmë në thelb të problemit në mënyrë që ta rregullojmë më shpejt”-tha David Weston, nënkryetar i sigurisë së ndërmarrjeve dhe sistemeve operative në Microsoft.

Bëhet e ditur se ky dizajn do të prezantohet këtë verë. Microsoft ka njoftuar zgjatjen e përditësimeve falas për Windows 10 deri në vitin 2026 dhe të dhënat e Statcounter tregojnë se ky sistem operativ ende dominon tregun global. Windows 10 ka rreth 53% të pjesës së tregut global (maj 2025), ndërsa pjesa e Windows 11 është rritur në 43%, tregojnë të dhënat e Statcounter. Megjithëse data zyrtare e përfundimit të mbështetjes për Windows 10 mbetet 14 tetor 2025, përdoruesit tani mund të marrin përditësime shtesë përmes programit të Përditësimit të Zgjeruar të Sigurisë (ESU).

Opsionet përfshijnë pagesën prej 30 dollarësh në vit, regjistrimin në Windows Backup ose përdorimin e 1,000 pikëve të Shpërblimeve të Microsoft. Kjo është falas për përdoruesit privatë, ndërsa kompanitë dhe institucionet arsimore ende duhet të paguajnë për programin ESU. Microsoft do t’i informojë përdoruesit rreth qasjes në programin ESU dhe një shpërndarje më e gjerë për përdoruesit e rregullt pritet në muajt e ardhshëm.