Djali i bosit famëkeq të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán është ekstraduar në SHBA për akuzat e trafikut të drogës. Ovidio Guzmán dyshohet se ka udhëhequr, së bashku me vëllain e tij, kartelin e fuqishëm të drogës Sinaloa që themeloi babai i tij. Ovidio akuzohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e një këngëtari që kishte refuzuar të performonte në dasmën e tij. Ai u arrestua në janar në shtetin verior të Meksikës, Sinaloa dhe që atëherë ka qenë në paraburgim.
Ovidio Guzmán është një nga katër fëmijët që El Chapo pati gjatë marrëdhënies së tij me Griselda López në vitet 1980 dhe ’90. Më i madhi prej tyre, Edgar, u vra në një shkëmbim zjarri në 2008. El Chapo ka edhe fëmijë të tjerë nga martesa e tij e mëparshme dhe nga lidhja e tij e mëvonshme me Coronelin. Guzmán, i njohur gjithashtu si “El Ratón” (Miu), u arrestua jashtë qytetit të Culiacán pas një operacioni mbikëqyrjeje gjashtëmujore.
Rikujtojmë, se gruaja e “El Chapo” Guzman Emma Coronel Aispuro ka dalë së fundmi nga burgu i Los Angeles, aty ku vuajti dënimin e saj. Emma Coronel u dënua me 3 vite burgim në vitin 2021, pasi u shpall fajtore për dhënie ndihme kartelit të Sinaloas. 34-vjeçarja pranoi gjithashtu se kishte bërë punën e korrieres mes Guzman dhe anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale, kur El Chapo ishte në burgun meksikan të Altiplanos, pas arrestimit të tij në vitin 2014.