Gruaja e “El Chapo” Guzman Emma Coronel Aispuro ka dalë së fundmi nga burgu i Los Angeles, aty ku vuajti dënimin e saj. Emma Coronel u dënua me 3 vite burgim në vitin 2021, pasi u shpall fajtore për dhënie ndihme kartelit të Sinaloas. 34-vjeçarja pranoi gjithashtu se kishte bërë punën e korrieres mes Guzman dhe anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale, kur El Chapo ishte në burgun meksikan të Altiplanos, pas arrestimit të tij në vitin 2014.
Duke qenë se Coronel i pranoi akuzat dhe pranoi të jepte 1,5 milionë dollarë nga aktiviteti i saj kriminal për qeverinë amerikane, dënimi i saj prej 3 vitesh, u ul. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Joaquin “El Chapo” Guzman, po vuan dënimin me burg përjetë në SHBA, pasi u ekstradua në vitin 2017, pas dy arratisjeve nga burgjet meksikane. Emma ka dy vajza me Guzman, të cilin e ka takuar kur ishte Miss Meksika dhe u martua me të në vitin 2007, kur ishte vetëm 18-vjeçe.
Rikujtojmë se së fundmi bosi famëkeq i karteleve të drogës i dorëzoi një kërkesë Gjykatës së Bruklinit që bashkëshortja e tij, e cila del së shpejti nga burgu, të mund ta vizitojë në qelinë ku ai po vuan dënimin me burg të përjetshëm në Kolorado. “Më vjen keq t’ju bezdis duke iu kërkuar autorizim për vizita nga ana e bashkëshortes sime dhe gjithashtu të marrë edhe vajzat”,-shkruan El Chapo në kërkesën e tij.