Gossip Showbiz

Elon Musk shfaqet me sy të mavijosur në konferencën e lamtumirës me Trump? E kishte goditur djali i tij?

Elon Musk tërhoqi vëmendjen gjatë një konference për shtyp me Donald Trump në Zyrën Ovale, ku u shfaq me një mavijosje të dukshme mbi syrin e djathtë.

Biznesmeni miliarder u pyet nga gazetarët për këtë shenjë në fytyrë dhe u përgjigj me humor, duke zbuluar se ishte “vepër” e djalit të tij pesëvjeçar, X Æ A-12, i njohur thjesht si “X”.

Nuk ka asgjë si një grusht në fytyrë nga një pesëvjeçar

-u shpreh Musk me ironi.

I thashë: ‘Hajde, më godit në fytyrë’, dhe ai e bëri.

Presidenti amerikan Trump, i cili ndodhej krah tij gjatë konferencës, tha se nuk e kishte vënë re mavijosjen, ndonëse ajo ishte lehtësisht e dallueshme.

Ngjarja ndodhi vetëm disa orë pas publikimit të një raporti nga “The New York Times”, ku pretendohej se Musk kishte përdorur një përzierje substancash gjatë fushatës zgjedhore.

Musk i mohoi me forcë këto pretendime dhe sulmoi gazetën, ndërsa Trump i qëndroi në krah, duke deklaruar se “askush nuk mund t’i besojë gazetës Times”.

Gjatë kësaj ceremonie të veçantë, Trump e falënderoi Musk për kontributin e tij në krye të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), detyrë që ai mbajti për pesë muaj. Si shenjë simbolike, Trump i dhuroi Musk një çelës të madh, në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tij në uljen e shpenzimeve publike.

Nga ana e tij, Musk u shpreh se dorëheqja nga posti nuk do të thotë fundi i projektit DOGE.

Ky është vetëm fillimi. Ekipi do të forcohet dhe objektivi ynë për të kursyer 1 trilion dollarë do të arrihet

Ai gjithashtu siguroi se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë si mik dhe këshilltar i Trump.