Mijëra shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, dje votuan fizikisht në përfaqësi diplomatike të Prishtinës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, siç njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Mbi 27.000 shtetas të Kosovës me të drejtë vote u regjistruan për të votuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës.
Mbi 80%, apo 22 mijë e 414 votues hodhën votën nga 26 përfaqësi diplomatike ku u mbyll votimi, por edhe nga të dhënat deri në orën 13:00 nga votimi në SHBA e Kanada referuar orës lokale atje, njoftoi KQZ-ja në orët e para të ditës së sotme.
KQZ-ja bëri të ditur se këto vota nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në qendrat e numërimit në vend.
Vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe konsullore qëndruan hapur prej orës 07:00 deri më 19:00, sipas orës lokale në vendet përkatëse.
Ky numër është vetëm një pjesë e një rekordi prej mbi 110 mijë votuesish nga jashtë e që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e sotme.
Votimi u zhvillua në vende si Gjermani, Zvicër, SHBA, Kanada, Itali, Francë, Britani e Madhe, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari, Çeki, etj.
Votimi në përfaqësi diplomatike u mundësua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndërsa më herët ka qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po mbahen pasi kuvendi nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese.
Partitë politike nuk arritën konsensus rreth zgjedhjes së presidentit, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në fillim të prillit.
Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare në 18 muajt e fundit në Kosovë, pas atyre të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025.