Aktualitet Rajoni

Përsëri në kutitë e votimit, Kosova voton!

Qytetarët e Kosovës sot do të përpiqen t’i japin drejtim një krize që, sipas vëzhguesve, buron nga ambicia për kontroll të plotë të pushtetit dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis. Dalja prej saj tani është e kufizuar në vetëm pak skenarë.

Zgjedhjet e sotme janë të tretat në më pak se një vit e gjysmë, pas atyre të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe votimeve të parakohshme, më 28 dhjetor 2025.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, shumicën më të madhe në Kosovën shtet, nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Automatikisht, kjo çoi në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit, vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit dhe dy ditë më vonë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.

Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor, deklaroi Haxhiu më 30 prill.

Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, shpërndarja e legjislaturës së dhjetë ishte “mjerim politik”, i shkaktuar nga partitë në opozitë, të cilat i akuzoi për mungesë bashkëpunimi dhe bojkotim të qëllimshëm të seancave për zgjedhjen e presidentit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta, me 22 mandate deputetësh, 35 më pak se Lëvizja Vetëvendosje me 57, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 15, pesë më pak se në zgjedhjet e shkurtit dhe të tjerat më pak.