I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë Edmond Vlashaj studiues i bio-energjisë, i cili ka folur më shumë për energjinë, manifestimin dhe jo vetëm…
Ti ke udhëtuar në shumë vende të botës, Shqipëria ka energji të mirë apo toksike?
Nuk mund ta përcaktojmë një vend me totalin e saj me enrgji të mirë apo energji jo të mirë. Ka vende në Shqipëri me energji shumë të mirë, shumë të lartë. Është mali i Tomorrit, që dihet botërisht, jo vetëm në Shqipëri, që energji të lartë, frekuenca të larta, energji shumë të mirë. Në aspektin e energjive shëruese, begatuese, në aspektin e rritjes së energjive manifestuese, por dhe të begatisë dhe mrekullive. Po ashtu është maja e Shkëlzenit në Tropojë, njerëzit atje shkojnë dhe shërohen, kryesisht bektashinjtë por dhe të besimeve të tjera shkojnë atje dhe përfitojnë shërim, po ashtu dhe begati e bollëk. Po ashtu është dhe kisha e Shna Ndout në Laç. Të jep ndjesi çlirimi të jashtëzakonshme dhe shërimi. Po ashtu është një kishë tjetër po e Shna Ndout në fshatin Troshan të Lezhës, si e fshehur mes maleve. Është dhe kisha e Shën Eufemisë në Kallmet të Lezhës. Unë jam lezhian vetë dhe si duket aty është mbledhur energjia e mirë, edhe për shkak të besimtarëve që kanë shkuar aty dhe kanë përcjellë energji të mirë.
Po Tirana është toksike?
Tirana është shumë e ngarkuar faktikisht. E ndihmon pak liqeni, sepse prania e ujit tërheq çdo lloj energjie toksike. Disi e tërheq edhe prezenca e Lanës, ashtu sikurse është. E tërheq edhe Dajti, e tërheq edhe prania e flladeve të detit dhe e pastron goxha mirë.
Por të mos fokusohemi vetëm në veri me vendet e shenjta me energji të lartë. Është edhe një vend tjetër në Malin e Krujës, Sarisalltik, edhe aty është shumë me frekuencë të lartë. Por është edhe zona në jug, midis Përmetit dhe Këlcyrës dhe deri në Gjirokastër, deri në kufi janë vargmalet Dhëmbel, Nemërçkë dhe pjesa e Lunxherisë, Zagorisë, Çajupit, edhe aty ka frekuencë jashtëzakonisht të lartë. Mendohet që bashkë me Tomorrin, ato kanë qenë qendra e një qytetërimi shumë më përpara nesh, me mijëra vite përpara nesh dhe ka mbetur ajo frekuencë e lartë aty.