Filmi Titanic e bëri Kate Winslet një yll botëror vetëm në moshën 22-vjeçare, por fama erdhi me një çmim të rëndë. Aktorja ka rrëfyer se pas suksesit të filmit u përball me shkelje të rënda të privatësisë, përfshirë përgjime telefonike dhe ndjekje të vazhdueshme nga paparacët.
Në një intervistë të fundit, ajo tregoi se ndihej e frikësuar dhe e pambrojtur, madje njerëzit kontrollonin edhe kazanët e plehrave për të zbuluar detaje nga jeta e saj. Winslet pranoi se nuk ishte e përgatitur për jetën nën vëzhgimin e vazhdueshëm të mediave.
Situata u përsërit edhe gjatë divorcit nga regjisori Sam Mendes në vitin 2010, kur paparacët e ndoqën edhe në prani të fëmijëve të saj.
Aktorja tha se forca e saj më e madhe në ato momente ishin miqtë dhe gjërat e thjeshta të përditshmërisë, që e ndihmuan të vazhdonte përpara.