Gossip

Shokuese! Leonardo DiCaprio nuk e ka parë kurrë “Titanic”?

Leonardo DiCaprio ka befasuar fansat në mbarë botën me një rrëfim të pazakontë: ai nuk e ka parë asnjëherë filmin “Titanic”, një nga veprat më të famshme të historisë së kinemasë dhe projekti që e ktheu në një yll global.

Deklarata u bë gjatë episodit më të fundit të “Actors on Actors”, prodhim i Variety dhe CNN, i transmetuar të mërkurën, më 17 dhjetor, ku aktori ishte në një bisedë të hapur me Jennifer Lawrence.

Pyetjes së drejtpërdrejtë të Lawrence:

A e ke parë ndonjëherë Titanic?

DiCaprio iu përgjigj shkurt dhe qartë:

Jo, nuk e kam parë kurrë

Ai shpjegoi se ka një rregull personal: nuk i shikon filmat ku luan vetë.

Unë nuk i shikoj filmat e mi. Po ti, a i shikon?

-e pyeti ai Lawrence, e cila u përgjigj se as ajo nuk ka zakon të shohë projektet ku ka marrë pjesë.

Megjithatë, aktorja nuk ngurroi ta nxisë DiCaprio-n që ta shohë filmin legjendar, duke i thënë se është ende po aq i fuqishëm sa dikur.

Me humor, ajo shtoi se nëse do të kishte qenë pjesë e një filmi si “Titanic”, me siguri do ta kishte parë, duke kujtuar edhe një episod personal nga shikimi i “American Hustle”.

DiCaprio e ka pranuar edhe më herët se rrallë i rikthehet filmave të tij. Në një intervistë për Esquire në gushtin e kaluar, ai përjashtoi vetëm një projekt: “The Aviator”, për shkak të lidhjes së veçantë me rolin e Howard Hughes dhe bashkëpunimit me Martin Scorsese.

Rrëfimi i fundit ka ndezur reagime të shumta në rrjet, duke rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes “Titanic”, filmin që mbetet simbol i suksesit dhe një pikë kthese në karrierën e Leonardo DiCaprio-s.