Njoftimi i albumit më të ri të Taylor Swift, me titull “The Life of a Showgirl”, ka ndezur spekulime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat mendojnë se bëhet fjalë për një “goditje të fshehtë” ndaj Kanye West.
Teoritë lindën pasi shumë prej tyre vunë re ngjashmëri me albumin e West të vitit 2016, “The Life of Pablo”.
Një detaj që ka marrë vëmendje është se, në kërkimin në Apple Music, albumi i Swift shfaqet përpara atij të West – diçka që fansat e saj e kanë interpretuar si një provokim të qëllimshëm.
Spekulimet u shtuan edhe nga fakti se kopertina e albumit të ri të Swift ka tone portokalli, të ngjashme me ato të “The Life of Pablo”.
Një përdorues i TikTok theksoi se kjo përputhje vizuale, e kombinuar me reputacionin e Swift për t’i kushtuar rëndësi çdo detaji, mund të jetë një mesazh i drejtpërdrejtë për reperin.
Rivaliteti mes dy artistëve nisi në vitin 2009, kur West ndërpreu Swift gjatë ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards.
Grindja u rikthye në vitin 2016 me këngën e West, “Famous”, ku ai e përmendte këngëtaren, si dhe me publikimin nga Kim Kardashian të një telefonate që supozohej se tregonte miratimin e Swift për tekstin – një episod që ndezi debate të gjata mes fansave.
Edhe pse artistja nuk ka konfirmuar asnjë lidhje mes albumit të saj të ri dhe West, komentet online tregojnë se fansat e saj besojnë se “hakmarrja” ka marrë formë muzikore.
Ndërkohë, Swift vazhdon të thyejë rekorde dhe të mbetet një nga emrat më të suksesshëm në industrinë muzikore botërore.