Sport

Fati i keq vijon për Neymar, humb grumbullimin me Brazilin për shkak dëmtimi!

Neymar nuk do të jetë pjesë e kombëtares braziliane në ndeshjet e shtatorit, pasi është goditur nga një tjetër dëmtim. Sulmuesi i Santos ndjeu shqetësime muskulare në kofshë gjatë stërvitjes dhe humbi dy seanca të tjera me skuadrën, duke detyruar stafin mjekësor të njoftojë menjëherë Federatën.

Ngjarja ndodhi vetëm pak orë para se Carlo Ancelotti të shpallte listën e lojtarëve për sfidat kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kilit dhe Bolivisë. Sipas mediave braziliane, trajneri italian nuk do ta përfshijë 32-vjeçarin në grumbullim.

Kujtojmë se Neymar nuk ka luajtur me ‘Seleçaon’ që prej 17 tetorit 2023, kur pësoi një dëmtim të rëndë në gju ndaj Uruguait. Nëse konfirmohet dëmtimi, mungesa e tij në kombëtare do të zgjatet në plot dy vite. Futbollisti po kalon një periudhë të vështirë edhe me Santos, ku problemet fizike po e pengojnë të rikthehet në formën më të mirë.

FATI I KEQ PO E PERNDJEK

Humbja e thellë 0-6 ndaj Vasco da Gama nuk ishte thjesht një dështim për Neymar, por një nga goditjet më të rënda të karrierës së tij. Ylli brazilian, 33-vjeç, nuk mundi t’i mbante lotët teksa largohej nga fusha, i shkatërruar brenda dhe i vetëdijshëm për krizën e thellë që po kalon klubi i tij.

Në një nga momentet më të errëta të karrierës së tij, braziliani mori dritën më të madhe, një mesazh prekës nga i biri, Luca. Me fjalë të thjeshta, por plot zemër, djali i kujtoi se pavarësisht rezultateve dhe kritikave, është gjithmonë babai, idhulli dhe frymëzimi i tij.

Një mesazh që shkon përtej futbollit, që prek çdo njeri i cili beson se dashuria e familjes është forca më e madhe për t’u ringritur.

LEXO EDHE: Dëmtimi i Ter Shtegen, a do të kthehet Nojer në portën e Gjermanisë?

“Mirëmbrëma, babi. E di që sot ishte një ditë e vështirë për ty dhe për ne, por dua të dish se në këto kohë të vështira, kur askush nuk është pranë teje, unë gjithmonë do të jem këtu për të të mbështetur.”

Mesazhi vazhdonte me fjalë të ngrohta: “Je më shumë se një baba i shkëlqyer; je një idhull, frymëzimi im. Edhe në ditët kur qan, dua të dish se të dua shumë. Familja jote është këtu për të të mbështetur çdo moment, qoftë i vështirë apo i mirë. Ti je BABAI IM dhe gjithmonë do të jem këtu për ty. Tani do të doja të mbaje kokën lart dhe të përballesh me ta si gjithmonë. Je i jashtëzakonshëm. Të dua me gjithë zemër.”

Pjesa përfundimtare e mesazhit të Lucas ishte një thirrje motivuese: “Mos hiq dorë nga ëndrra jote më e madhe për shkak të njerëzve që nuk të njohin. Mos e shiko humbjen e sotme si një dështim; përdore atë si motiv për të qenë gjithmonë më i mirë se dje. Mos harro kurrë: JE I MREKULLUESHËM… SHKO DHE FITO!”.

Kujtojmë se pas humbjes 0-6 nga Vasco de Gama, tifozët shfaqën zemërimin ndaj skuadrës dhe bordi reagoi menjëherë duke shkarkuar trajnerin Cleber Xavier.