Një ditë pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, lideri historik i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër i vendit, Edi Rama i ka dedikuar një videokartolinë lamtumire të postuar në rrjetet sociale. Kryeministri i referohet Nanos si mik i dikurshëm e të rigjetur, që asnjëherë nuk do të ndahet nga kujtimet e nga vendi i nderit në historinë e asaj që e quan “familja jonë e madhe”. Të gjithëve atyre që e patën kryetar, shok e mik, kryesocialisti iu shpreh ngushëllime vëllazërore.
MIRËMËNGJES
dhe me këtë videokartolinë lamtumire për liderin historik të socialistëve, mikun tim të dikurshëm e të rigjetur sërish, Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, por që nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e mia vëllazërore.
Fatos Nano mbylli sytë në moshën 73 vjeçare dhe nesër është ditë zie në Shqipëri:
Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Në orën 12:00, në nderim të tij, do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Homazhet dhe Ceremonia Shtetërore do te mbahen ne Pallatin e Kongreseve ne Tiranë.
• 08:30 – 11:00 – Homazhe publike
• 11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet
• 12:05 – Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë.
Krahas mesazheve të shumta të ngushëllimit nga politika në vend, Kosovë e Maqedoni të Veriut, ndarjes nga jeta të themeluesit të Partisë Socialiste, i tërhequr nga politika aktive pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës, i bënë jehonë edhe mediat greke “Kathimerini” e “Protothema”.