Një tjetër histori e rëndë po del në dritë nga jeta personale e Blac Chyna-s. Ylli i reality show-t ka ngritur akuza serioze ndaj ish-partnerit të saj, Twin Hector, duke pretenduar se ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe verbale brenda banesës së saj, ndërsa fëmijët e mitur ndodheshin aty pranë duke fjetur.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, Blac Chyna, emri i vërtetë i së cilës është Angela White, pohon se incidenti ka ndodhur në mars të vitit 2023.
Ajo pretendon se situata u përshkallëzua në momentin kur po përgatitej për të udhëtuar jashtë vendit dhe i kërkoi ish-të dashurit të largohej nga shtëpia.
Në padinë e depozituar, Chyna deklaron se Taiyon “Twin” Hector e ka sulmuar fizikisht, e ka fyer dhe e ka kërcënuar, duke i shkaktuar frikë të madhe për sigurinë e saj.
Në banesë, sipas saj, ndodheshin edhe dy fëmijët e saj, King, 13 vjeç, nga lidhja me reperin Tyga, dhe Dream, 9 vjeç, nga marrëdhënia me Rob Kardashian.
Megjithatë, historia nuk mbaron këtu. Hector i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke paraqitur një version krejtësisht të kundërt të ngjarjes.
Përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, ai pretendon se ka qenë vetë viktimë e dhunës dhe se do ta kundërshtojë padinë me prova konkrete.
Përplasja mes ish-çiftit shton edhe një tjetër kapitull të bujshëm ligjor në jetën e Blac Chyna-s, e cila prej vitesh mbetet në qendër të vëmendjes për marrëdhëniet e trazuara dhe betejat gjyqësore me ish-partnerët.
Tashmë, gjithçka pritet të zbardhet në sallën e gjyqit, aty ku do të përballen dy versione krejtësisht të ndryshme të së njëjtës ngjarje.