Pjesa dërrmuese e padisë për sulm seksual ndaj frontmenit të “Aerosmith”, Steven Tyler, është hedhur poshtë nga gjykata, duke sjellë një kthesë të fortë në çështjen që ka marrë vëmendje të madhe mediatike.
Procedura ligjore ishte ngritur nga Julia Misley, e cila akuzon këngëtarin për manipulim dhe shfrytëzim gjatë kohës kur ajo ishte adoleshente.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Patricia A. Young, e cila konstatoi se shumica e pretendimeve bien ndesh me afatet ligjore të parashkrimit në shtetin e Massachusetts-it, ku palët kishin jetuar gjatë marrëdhënies së tyre të pretenduar në vitet ’70.
Si rezultat, pjesa më e madhe e padisë u rrëzua.
Megjithatë, gjykata lejoi që çështja të vijojë vetëm për një episod të vetëm të dyshuar, i cili pretendohet të ketë ndodhur gjatë një udhëtimi në Kaliforni. Sipas vendimit, ky rast nuk i nënshtrohet të njëjtave kufizime kohore.
Reagimi nga pala mbrojtëse ishte i menjëhershëm. Avokati i Tyler, David Long-Daniels, e quajti vendimin një “fitore të madhe”, duke theksuar se 99.9% e pretendimeve janë hedhur poshtë dhe se tashmë mbetet vetëm një incident i supozuar nga më shumë se pesë dekada më parë.
Padia ishte ngritur në vitin 2022, ku Misley pretendon se është vajza e përmendur në autobiografinë e Steven Tyler, “Does the Noise in My Head Bother You?”.
Ndërkohë, pala mbrojtëse këmbëngul se bëhej fjalë për një marrëdhënie me pëlqim dhe brenda kufijve ligjorë të asaj kohe.