Aktualitet

Fluks i madh në Morinë, mbërrijnë edhe tifozë të zjarrtë të Kombëtares!

Fundjava ka sjellë fluksin më të madh të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinës për këtë sezon veror, me rreth 56 mijë qytetarë që kanë kaluar kufirin në dy ditët e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, 45 mijë e 701 shtetas hynë në Shqipëri, kryesisht nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë ditët e nxehta të qershorit në bregdetin shqiptar.

Por, përveç turistëve, në këtë fundjavë kanë mbërritur edhe tifozë të zjarrtë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, që kanë ardhur në vendin tonë për të ndjekur nga afër ndeshjen e mbrëmjes së sotme Shqipëri-Serbi. Dueli në stadiumin “Arena Kombëtare” nis në orën 20:45 minuta e transmetohet live në Digitalb.

Në dalje nga Shqipëria janë regjistruar 10 mijë e 805 shtetas me 3 mijë e 467 automjete, ndërsa në hyrje u evidentuan 14 mijë e 619 makina, çka cilësohet një tregues i qartë i interesit të lartë për turizëm e pritet që shifrat të rriten edhe më shumë në javët në vijim.

Autoritetet kufitare bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve teksa Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në sezonin turistik me numër të lartë pushuesish dhe interes në rritje.