Bota

Forcat siriane sfidojnë Izraelin, përgatiten për t’u kthyer në qytetin e druzëve!

Forcat siriane po përgatiten për t’u kthyer në qytetin e pakicës fetare druze, Suveida, për t’iu dhënë fund luftimeve me fiset beduine. Kjo u njoftua sot nga një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Sirisë, teksa vihet në rrezik një armëpushim i brishtë në jug të vendit.

Luftimet e përgjakshme disaditore që shpërthyen kur luftëtarët beduinë dhe druzë u përplasën në provincën Suveida u ndalën përkohësisht pas shpalljes së armëpushimit të mërkurën. Luftimet shtynë qeverinë siriane t’i zhvendoste trupat atje, duke përshkallëzuar dhunën.

Në këto përleshje u përfshi edhe Izraeli, që njoftoi se nuk do ta lejojë qeverinë siriane të drejtuar nga islamistët, të vendosë trupa në jug të Sirisë e goditi forcat siriane në Suveida, si dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë. Po ashtu, bombardoi pranë Pallatit Presidencial në Damask.

Trupat siriane u tërhoqën nga Suveida kur u shpall armëpushimi, por përplasjet shpërthyen sërish dje në mbrëmje mes luftëtarëve beduinë fisnorë e druzëve, që janë pjesë e një pakice fetare me ndjekës edhe në Liban e Izrael. Ushtria izraelite kreu sulme të reja ajrore në provincën Suveida gjatë natës.

Duke i përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si “xhihadistë të maskuar”, Izraeli është zotuar ta mbrojë pakicën druze në Siri nga sulmet, pasi është nxitur edhe nga vetë druzët në Izrael. Mosbesimi i thellë izraelit ndaj udhëheqjes së re islamike të Sirisë duket se bie ndesh me Shtetet e Bashkuara, që thanë se nuk e mbështesin sulmin e fundit izraelit në Siri.

Amerika ndërhyri për të ndihmuar në arritjen e armëpushimit të mëparshëm mes forcave qeveritare e luftëtarëve druzi dhe Shtëpia e Bardhë njoftoi dje se dukej se armëpushimi po zbatohej.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili ka punuar për të krijuar marrëdhënie më të ngrohta me SHBA-të, e akuzoi Izraelin se po përpiqet ta përçajë Sirinë dhe premtoi se do ta mbrojë pakicën druze.