Një pasagjer francez i anijes turistike MV Hondius, ku është regjistruar një shpërthim hantavirusi, ka shfaqur simptoma të sëmundjes gjatë riatdhesimit drejt Francës, duke shtuar shqetësimet e autoriteteve shëndetësore për përhapjen e virusit.
Ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, konfirmoi se shtetasi francez i evakuuar nga kroçera u vendos menjëherë në izolim të rreptë pas mbërritjes në Paris.
Me uljen e avionit çarter në aeroportin Le Bourget, ekipet mjekësore të pajisura me masa të posaçme mbrojtëse transferuan pasagjerin në spitalin Bichat, ku do të qëndrojë në karantinë për 72 orë. Më pas, ai do të vetëizolohet për 45 ditë, sipas autoriteteve franceze.
Anija holandeze MV Hondius mbërriti dje në Ishujt Kanarie, ku nisi një operacion ndërkombëtar evakuimi i koordinuar nga qeveria spanjolle dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Deri tani, tre persona që kishin udhëtuar në bord kanë humbur jetën, ndërsa dy prej tyre rezultuan pozitivë me hantavirus.
Mbi 90 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi po riatdhesohen drejt vendeve të tyre, përfshirë Francën, Spanjën, Britaninë e Madhe, SHBA-në, Holandën dhe Australinë.
Autoritetet spanjolle kanë vendosur në karantinë 14 shtetas spanjollë në një spital ushtarak në Madrid. Ndërkohë, Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore bëri të ditur se shtetasit britanikë të kthyer në Manchester nuk kanë raportuar simptoma, por po mbahen nën monitorim.
Edhe Amerika ka marrë masa të posaçme për pasagjerët e kthyer nga kroçera. Departamenti i Shëndetësisë njoftoi se një pasagjer ka shfaqur simptoma të lehta të virusit, ndërsa një tjetër ka rezultuar pjesërisht pozitiv për variantin Andes të hantavirusit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, disa prej pasagjerëve mund ta kenë marrë virusin gjatë qëndrimit në Amerikën e Jugut. Hantaviruset zakonisht transmetohen nga brejtësit, por varianti Andes konsiderohet ndër rastet e rralla që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje të fortë, dhimbje muskujsh, probleme gastrointestinale dhe vështirësi në frymëmarrje.