Këtë fundjavë, sytë janë kthyer nga Kosova. Bazuar në afatet zyrtare, sot duhet që ekipi menaxhues të dorëzojë projekt-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Nëse dorëzimi i draftit shtyhet, nesër serbët mund të shpallin autonominë në veri. Bashkimi Europian e Shtetet e Bashkuara iu druhen tensioneve. Sipas tyre, kjo dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. BE-ja dhe Amerika iu bënë thirrje palëve të përmbahen. Në rast nevoje, Prishtina do të aktivizojë mekanizmat e sigurisë, për reagim. Një ditë më parë, Kryeministri Ramush Haradinaj mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Ndërkaq, analistët vlerësojnë se shpallja e autonomisë, nuk do të kishte efekte juridike.