Qindra mijëra njerëz janë mbledhur sot në qytetin e Vatikanit për të marrë pjesë në funeralin madhështor të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 88-vjeçare.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, numri i pjesëmarrësve ka tejkaluar shifrën prej 400,000 personash.
“Vlerësimet tona paraprake tregojnë për një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Rreth 400,000 persona ndodheshin në sheshin e Shën Pjetrit dhe përgjatë itinerarit të kortezhit funebër,” deklaroi ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, për TG5.
Arkivoli i Papës u përcoll nga një kortezh solemn deri në bazilikën Santa Maria Maggiore, ku u mbajt ceremonia e varrimit në praninë e liderëve fetarë dhe shtetërorë nga mbarë bota.
Papa Françesku, i njohur për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe përpjekjet për reformimin e Kishës Katolike, do të mbahet mend si një nga papët më të dashur dhe më progresistë të kohës moderne.
Varrimi i Papa Françeskut filloi në orën 10:08. I mbajtur mbi supe, arkivoli përshkoi sheshin Shën Pjetër, i pritur nga duartrokitje dhe u vendos Ungjilli. Sipas Zyrës së Shtypit të Vatikanit, gjithsej 400 mijë besimtarë marrin pjesë në funeralin e Papës në sheshin Shën Pjetër e në rrugët përreth. Kryesuesi i ceremonisë, Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, tha se “Imazhi i Papës në Pashkë do të mbetet në sytë e zemrat tona”.
Papa Françesku ka bërë gjeste dhe nxitje të panumërta në favor të refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Eshtë domethënëse që udhëtimi i tij i parë ishte në Lampedusa, një ishull simbol i tragjedisë së emigrimit me mijëra njerëz të mbytur në det. Ai ishte një Papë mes njerëzve me zemër të hapur për të gjithë.
Duartrokitje të gjata përshëndetën fjalët e kardinalit Re për angazhimin e Bergoglio-s për paqen dhe emigrantët.