Aktualitet Bota

Shërbimi funeral i Françeskut si i një bariu, dishepull i Zotit!

Në një atmosferë prekëse, mijëra njerëz e udhëheqës botërorë, si edhe Kisha Katolike po i japin lamtumirën Papa Françeskut. Në Sheshin Shën Pjetër të Vatikanit, ceremonia mortore drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re. Funerali mbahet sipas dëshirës së tij. Françesku donte që “shërbimi funeral të ishte i një bariu dhe një dishepull i Zotit, jo i një prej të fuqishmëve të Tokës”.

Në Shën Pjetër janë të pranishëm 12 mbretër e 52 presidentë, 23 kryetarë qeverish dhe delegacione nga 166 vende. Ndër figurat kryesore që po marrin pjesë, presidenti Trump, Princi Uilliam, presidenti Zelensky, si dhe përfaqësues të lartë nga Franca, Gjermania, Argjentina. I pranishëm edhe presidenti Bajram Begaj e liderët fetarë në Shqipëri.

Në përputhje me thjeshtësinë që e karakterizoi gjatë jetës, Papa Françesku zgjodhi një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur traditën e tre arkivoleve që zakonisht përdoren për papët. Ai do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore-s në Romë, një vend i shenjtë ku lutej shpesh gjatë papatit. Ky është një vendim historik, pasi është hera e parë që një papë varroset jashtë Vatikanit që nga viti 1903.

Papa Françesku vdiq në moshën 88-vjeçare kur pësoi hemoragji cerebrale të hënën e Pashkës, vetëm një ditë pasi u shfaq në të njëjtin shesh për t’u dhënë bekimin besimtarëve.  Në ditët që pasuan, rreth 250 mijë vajtues u mblodhën në Vatikan për t’i bërë nderimet e fundit, ndërsa trupi i Atit të Shenjtë u vendos në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, dashurinë për të varfërit dhe thirrjet e vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale e mbrojtjen e mjedisit.