Aksident i rëndë në aksin Fushë Krujë-Vorë. Rreth mesnate, një automjet u përplas me një betoniere në Fushë-Prezë. Katër të rinj humbën jetën. Makina e tyre shpërtheu në flakë dhe të rinjtë e moshës 20-25 vjeç u dogjën në brendësi të mjetit tip Benz që ka goditur betonieren e parkuar. Shoferi i betonieres, 24 vjeç, fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas blutë informojnë se e kapën dhe e shoqëruan në Komisariat.
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.
Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç. Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Viktimat u identifikuan si Enejdi Laçi, 25 vjeç dhe tre pasagjerët Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 e Andi Laçi, 22 vjeç.