Gossip Showbiz

Gjesti përfundon në paraburgim! “Jam në ankth…”

Këngëtari i njohur shqiptar Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, është lënë në paraburgim për një muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas një incidenti të rëndë të ndodhur në zyrat e kompanisë Onima.

Sipas vendimit të gjykatës, artisti dyshohet për kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje pa leje të armës. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, kur Gjesti dyshohet se ka hyrë në ambientet e kompanisë pas një mosmarrëveshjeje për një borxh të papaguar.

Gjatë seancës dëgjimore, këngëtari ka shprehur pendesë për veprimet e tij, duke thënë se gjithçka ka ndodhur në një moment të vështirë emocional.

Jam në ankth, kam vepruar në gjendje afekti. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar

-është shprehur ai para trupit gjykues.

Mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Sipas avokatit, reagimi i artistit ishte impulsiv dhe i ndikuar nga vështirësitë financiare me të cilat ai po përballet kohët e fundit. Ai shtoi gjithashtu se Gjesti është i gatshëm të hyjë në një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Sipas raportimeve nga “Betimi për Drejtësi”, dëshmitarët kanë deklaruar se këngëtari ka dëmtuar kompjutera dhe xhama në zyrë, ndërsa më pas ka nxjerrë një armë duke kërcënuar stafin.

Gjykata ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë si të bazuar, duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, mundësinë e ndikimit tek dëshmitarët dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Masa e paraburgimit do të zgjasë nga 11 marsi deri më 9 prill 2026.