Gjykata e Durrësit la në burg ish-drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU në Durrës, Elton Varaku.
Në seancën e zhvilluar sot për vlerësimin e masës së sigurisë, gjykata e cilësoi “të ligjshëm” arrestimin në flagrancë të tij. Gjatë seancës, Varaku kërkoi falje, ndërsa avokati u shpreh se veprimet për të cilat akuzohet kanë qenë një reagim i çastit.
Sipas prokurorisë, ai akuzohet për veprat penale “Shkatërrim prone” dhe “Kanosje”.
Në drejtorinë e institucionit, shkoi urdhri për pezullimin e Varakut nga detyra. Pasi mori dijeni për këtë vendim, u rikthye në mjediset e punës, ku dyshohet se ka shkatërruar kompjuterë e të tjera pajisje në laboratorin e AKU-së në zonën e Shkozetit.
Po ashtu, sipas hetimeve paraprake, përdori gjuhë kërcënuese ndaj punonjësve të institucionit. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.