Gwyneth Paltrow ka treguar arsyen e vërtetë të largimit të saj të gjatë nga aktrimi dhe momentin që e shtyu të rikthehej pas gati shtatë vitesh.
Në një intervistë të fundit për programin Actors on Actors të CNN, ajo rrëfeu se periudha larg kamerave ishte një zgjedhje personale, por edhe një nevojë emocionale.
Aktorja, e cila prej vitesh është fokusuar te biznesi i saj i mirëqenies, tha se fillimet e karrierës i sollën famë dhe sukses, por edhe një ndjesi të thellë vetmie.
Isha vetëm në të 20-at, nuk e njihja veten dhe udhëtoja pa pushim. M’u desh kohë që të kuptoja kush isha vërtet. Këtë e gjeta te familja
-tha ajo.
Paltrow pranoi se largimi nga Hollywood nuk ishte thjesht një pushim. Ajo u orientua drejt sipërmarrjes dhe vendosi të ndërtonte një tjetër kapitull në jetën e saj profesionale dhe personale.
Por gjithçka ndryshoi kur skenari i filmit Marty Supreme mbërriti në një moment të pazakontë të jetës së saj: pikërisht kur fëmijët e saj u larguan për në kolegj.
Papritur u gjenda vetëm dhe fillova të mendoja kush jam tani. Filmi erdhi në kohën e duhur
-rrëfeu aktorja.
Takimi me regjisorin Josh Safdie e bindi edhe më shumë. Ajo e përshkroi projektin si një kthim në frymën e filmave të viteve ’90, periudhë me të cilën ajo e lidhi fillimin e karrierës së saj.
Nuk ishte se më mori malli i aktrimit, por ishte një moment i ri në jetën time. Fëmijët u rritën, shtëpia u zbra, gjithçka ndryshoi
-shtoi Paltrow në një intervistë tjetër për Hollywood Reporter.
Me këtë rikthim, aktorja duket gati të hapë një kapitull të ri artistik, ndoshta krejt të ndryshëm nga periudhat e mëparshme të saj në Hollywood.