Sot në rubrikën ‘Sy m’Sy’, kryeministri Edi Rama komentoi hetimet e Prokurorisë ndaj kompanisë Bankers Petroleum, që operon në fushat e naftës në Patos-Marinzë. Rama u shpreh i kënaqur që Prokuroria ka hetuar në mënyrë të pavarur për këtë kompani dhe e inkurajoi të vijojë punën.
Shefi i qeverisë kujtoi edhe Arbitrazhin që ka fituar qeveria me Bankers-in, duke vënë në dukje se kompania i detyrohet shtetit shqiptar 240 milion euro. Gjithashtu, akuzoi qeverinë e kaluar për marrëveshjen koncesionare me Bankers-in.
Ne kemi fituar me Bankers-in një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 milion euro. Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën që ka bërë këtë investigim dhe uroj t’i nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika e që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën. Koncesionet që kemi dhënë, nuk do t’i lija pa i ribërë, janë në shërbim të popullit shqiptar, por koncesionet që kemi trashëguar janë ç’janë, ato janë vrima të zeza.
Kujtojmë se pak kohë më parë, pas hetimeve të prokurorisë, drejtues dhe ish-drejtues të lartë të Bankers Petroleum u arrestuan për akuzat “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.