“Giorgio Armani i tregoi botës se Italia mund të jetë e madhe pa sakrifikuar identitetin e saj, ndërkohë që Armani ishte traditë, elegancë, rafinim, maturi dhe ikonë”, shkruan kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në një artikull për
“Corriere della Sera”-n duke i bërë homazh kujtimit të stilistit të madh, i cili u nda nga jeta më 4 shtator, në moshën 91 vjeçare.
Esenca e Made in Italy është një kombinim talenti, vëmendjeje ndaj detajeve dhe kujdesit për punonjësit tanë. Këto karakteristika i bëjnë kompanitë tona të vlerësuara e të dashura në të gjithë botën dhe te Armani ato kanë gjetur një sintezë madhështore. Ai ndihmoi në ngritjen e shkëlqimit italian në stilin e veshjeve në një nivel ndërkombëtar, duke trajnuar breza profesionistësh, vë në dukje Meloni.
Më tej, kryeministrja shton:
Krijimet e tij kanë shoqëruar disa nga momentet më domethënëse të jetës sime. Midis tyre, ceremonia e betimit në Quirinale si kryeministre, në të cilën mora pjesë duke veshur një nga kostumet e tij të bukura blu marinë. Dhe ishte një zgjedhje që do ta bëja përsëri, sepse ai kostum Armani përcillte shumë mesazhe: mbrojtjen e Made in Italy, inovacionin, cilësinë, krenarinë për identitetin.
Pa harruar autoritetin. Një Itali që mund të udhëheqë botën. Kombi ynë nuk do ta harrojë gjenialitetin e tij dhe punën e jashtëzakonshme që bëri për ta bërë atë një simbol të padiskutueshëm dashurie dhe pasioni për bukurinë, përfundon shefja e qeverisë italiane.