Honda ka prezantuar një teknologji revolucionare që do t’i gëzojë të gjithë pronarët e maceve. Sediljet e reja të quajtura “Catnip Car Seats” janë dizajnuar në mënyrë që edhe macet më kokëforta ta duan udhëtimin me makinë. Siç e di çdo pronar maceje, transporti i tyre me makinë shpesh kthehet në një makth të vërtetë; gërvishtje dhe mjaullima të pandalshme. Honda ka vendosur t’i japë fund këtij problemi me një zgjidhje inovative, sedilje të pajisura me material të integruar që përmban catnip (bar i maceve), i cili e qetëson dhe relakson macen gjatë udhëtimit.

Sipas përfaqësuesve të Hondës, problemi i vetëm që mund të kenë pronarët është të bindin macen të dalë nga makina kur të arrijnë në destinacion. “Honda prej vitesh punon për ta bërë përvojën në veturë miqësore për kafshët shtëpiake dhe kjo risi dëshmon se asgjë nuk është e pamundur kur qëllimi është të lumturojmë bashkudhëtarët tanë me qime”-tha Annie Moll, drejtoreshë e departamentit të Hondës për produkte për kafshët shtëpiake.
Sediljet e reja janë të disponueshme që nga muaji i kaluar dhe mund të instalohen në të gjitha modelet e Hondës. Ofrohen në variantin prej pëlhure dhe lëkure dhe janë njësoj të rehatshme edhe për njerëzit. Sediljet “Catnip Car Seats” janë më të rejat në një seri produktesh të Honda-s të dizajnuara për kafshët shtëpiake.