Bota

Identifikohet autori i masakrës në një qendër tregtare në Dallas të SHBA-ve!

Autoritetet amerikane në Teksas identifikuan personin e armatosur që dy ditë më parë vrau tetë vetë, mes tyre dhe fëmijë, në një qendër tregtare në Dallas. Nga policia u identifikua si Mauricio Garcia, 33 vjeç. Garcia, banor i Dallasit u ekzekutua nga një oficer policie që doli në vendin e ngjarjes.

Presidenti amerikan, Joe Biden e përshkroi sulmin si “aktin e fundit të dhunës me armë zjarri që ka shkatërruar kombin”. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat cituan hetuesit që thanë se Garcia mund të ketë patur lidhje me të djathtën ekstreme, siç sugjerohej dhe nga logot në veshjet e tij.

Ai përdori pushkë të tipit AR-15 e mbante një logo me mbishkrimin RWDS, shkurtesë për “Skuadrën e Vdekjes të Krahut të Djathtë”, që besohet se është grup neo-nazist.

Sipas dëshmitarëve, personi i armatosur doli nga makina e tij në parkingun e qendrës tregtare dhe nisi të hapte zjarr duke qëlluar qytetarët. Gjashtë vetë vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë në spital. Ende tre persona janë në gjendje kritike për jetën. Me vete, agresori mbante edhe një pistoletë e në makinë iu zbuluan armë të tjera.

Presidenti Biden konfirmoi se në mesin e të vrarëve ka edhe fëmijë, duke shtuar se “shumë familje kanë karrige të zbrazëta në tryezat e tyre”, ndërsa sërish iu bëri thirrje anëtarëve të Partisë Republikane, të mbështesin kontrollet më të ashpra të armëve.

Garcia raportohet se ka punuar si roje sigurie dhe nuk kishte ndonjë të kaluar kriminale. Pas kësaj ngjarjeje, shefi i Shtëpisë së Bardhë urdhëroi që flamujt amerikanë të uleshin në gjysmë shtizë, në të gjitha ndërtesat federale.

Sipas të dhënave, Amerika ka numrin më të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit se çdo shtet tjetër i zhvilluar. Më 2021-shin, 49 mijë persona kanë gjetur vdekjen nga armët e zjarrit, ndërsa një vit më herët ky numër ishte 45 mijë.