Një incident i rëndë është shënuar ditën e djeshme në ndeshjen e femrave mes Apolonisë së Fierit dhe Gramshit. Presidenti i klubit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, i shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë të klubit janë futur në fushë dhe kanë shtyrë e ofenduar arbitrin e ndeshjes, Dorjan Melataj.
Ndeshja është ndërprerë për rreth 30 minuta e sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit, duhej automatikisht të mos vijonte, por për shkak të presioneve të shumta ndaj gjyqtarit, ky i fundit është detyruar ta rifillonte.
Në fund, Apolonia e fitoi ndeshjen me rezultatin 1-0, ndërkohë që do të pritet vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, FSHF, për të parë se cili do të jetë fati i këtij takimi.
Pas incidentit, policia njofton se nisi hetimi ndaj presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima:
Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”, pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D.M.