Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, gjithashtu një nga negociatorët, tha se Uashingtoni dhe Teherani janë larg diskutimeve përfundimtare për t’i dhënë fund luftës dhe arritjes së një marrëveshjeje.
Ai theksoi se ka pasur përparim në bisedime dhe se ata kishin “një kuptim më realist të njëri-tjetrit”, por se ende kishte një distancë të madhe midis dy palëve.
“Ka disa çështje për të cilat ne këmbëngulim… Ato gjithashtu kanë vija të kuqe. Por këto çështje mund të jenë vetëm një ose dy. Jemi ende larg diskutimit përfundimtar”, tha Ghalibaf.
Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se presidenti i SHBA nuk mund t’i privojë nga e drejta për armë bërthamore.
“Trump thotë se Irani nuk mund të përdorë të drejtat e tij bërthamore, por nuk thotë për çfarë krimi. Kush është ai që t’i privojë një kombi nga të drejtat e tij?”, citohet të ketë thënë Pezeshkian, sipas raportimeve të mediave lokale.
Të dyja palët duket se kanë mosmarrëveshje nëse Iranit do t’i lejohet të pasurojë uranium pas luftës.
Teherani tha gjithashtu sot se nuk ka një datë të caktuar për një raund të ri bisedimesh zyrtare të paqes për t’i dhënë fund luftës dhe akuzoi SHBA-në se ka mbajtur një qëndrim “maksimalist”.