Bota

Irani: Nuk do ta braktisim programin bërthamor!

Irani nuk ka plane për ta braktisur programin e tij bërthamor, përfshirë pasurimin e uraniumit, pavarësisht dëmit të madh që u është shkaktuar centraleve iraniane si pasojë e sulmeve amerikane muajin e kaluar. Kjo u bë e ditur nga ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi.

Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan, Fox News, Araghchi vuri në dukje se momentalisht, pasurimi i uraniumit është ndalur, sepse “dëmet janë serioze dhe të rënda”.

Por, natyrisht që ne nuk mund të heqim dorë nga pasurimi, sepse është arritje e shkencëtarëve tanë. I gjithë procesi përbën një krenari kombëtare. Çdo marrëveshje bërthamore që mund të arrihet, duhet të përfshijë edhe të drejtën për pasurimin e uraniumit.

I pyetur nëse uraniumi i pasuruar është ruajtur diku nga sulmet, Araghchi u shpreh se “nuk ka informacion të detajuar”, por shtoi se Organizata e Iranit për Energjinë Atomike është duke tentuar “të bëjë vlerësime se çfarë ka ndodhur saktësisht me materialin e pasuruar”.

Uashingtoni bombardoi tri pika bërthamore në Iran më 22 qershor, për të mbështetur ofensivën ushtarake 12-ditore të Izraelit. Ushtria amerikane ka shënjestruar edhe qendrën kryesore për pasurimin e uraniumit, Fordo e që gjendet në jug të kryeqytetit Teheran.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë disa herë që sulmet rezultuan të suksesshëm e se të tre qendrat iraniane “u shkatërruan plotësisht”. Deklaratat e ministrit iranian vijnë në kohën kur Teherani zyrtar pritet të zhvillojë bisedime të reja për programin bërthamor me Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Bisedimet u caktuan për të premten e kësaj jave në Stamboll të Turqisë.

Sa u përket negociatave me Shtetet e Bashkuara për shtensionim rajonal, Araghchi tha se Irani është i hapur për bisedime, por “jo direkte në këtë periudhë”. Ai deklaroi se Teherani shprehet i gatshëm të ndërmarrë çdo veprim që kontribuon në ndërtim besimi për të dëshmuar që programi bërthamor është për qëllime paqësore, në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane.

Ministri iranian e ka pranuar se Irani do të vazhdojë të zhvillojë e prodhojë raketa. Pavarësisht një numri të konsiderueshëm të raketave që janë nisur drejt Izraelit përgjatë konfliktit 12-ditor, Araghchi pretendon se Irani ende ka “një sasi raketash për të mbrojtur veten”.

I pyetur për shëndetin e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili është parë rrallë në publik që prej sulmeve izraelite, ministri iranian u shpreh se e ka takuar së fundmi dhe se ai gëzon “shëndet shumë të mirë”.