Gossip Music

Izraeli zgjedh përfaqësuesin e tij për Eurovision 2026? Kënga e tij ndez reagime?

Noam Bettan do të përfaqësojë Izraelin në edicionin e 70-të të Festivalit të Këngës në Eurovision, që do të mbahet këtë maj në Vjenë. Artisti u shpall fitues i konkursit kombëtar “HaKokhav HaBa”, duke siguruar kështu biletën për skenën evropiane.

Karriera muzikore e Bettan nisi gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), ndërsa u bë i njohur për publikun vendas në vitin 2018, kur u rendit i treti në konkursin muzikor “Aviv”.

Në vitin 2024, ai publikoi këngën “Pokeach Einayim”, një projekt që tërhoqi vëmendje të veçantë pasi teksti i saj u shkrua nga komandanti i IDF-së, Yaron Oree Shay, i cili u vra gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Kënga u perceptua si një homazh dhe një mesazh i fortë emocional, duke ngjallur diskutime të gjera.

Pas fitores, Bettan u shpreh thellësisht mirënjohës ndaj publikut dhe foli për rrugëtimin e tij me shumë sfida.

Mesazhi im për Evropën është të përgatitet. Do të sjellim një këngë lavdërimi, do të sjellim gjithçka që kemi. Do të sjellim dritë dhe dashuri dhe do të bashkohemi

-deklaroi ai.

Pjesëmarrja e Izraelit në këtë edicion të Eurovisionit ka shkaktuar edhe reagime të forta. Islanda, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja kanë vendosur të tërhiqen nga festivali, në shenjë proteste për lejimin e Izraelit në garë.

Gjysmëfinalja e parë e Eurovision 2026 do të mbahet më 12 maj në Wiener Stadthalle, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj, ndërsa finalja e madhe është planifikuar për 16 maj. Festivali pritet të jetë një nga edicionet më të debatuara dhe më të ndjekura të viteve të fundit.