Drejtuesi politik i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, sot ishte në Cërrik, ku ndër të tjera vuri theksin se në Shqipëria ka 34 vite që drejtohet nga 3 individë, kur në Amerikë janë ndërruar 9 presidentë.
“Ata janë bashkë, nëse një i PD troket në zyrat e shtetit, i hapet dera, sepse ata janë bashkë. Si është katandisur Cërriku gjithë këto vite? Kanë ikur shumë të rinj. Ne do të kthejmë shpresën.
Mendoni për një moment që paratë e oligarkëve të vinin këtu, çfarë ndryshimi do të kishte. Pensioni në fshat është vetëm 111 mijë lekë të vjetra. Çfarë mund të bëjë një individ me këto lekë?
Ku mund të shkojë një djalë i ri apo vajzë e re këtu në Cërrik, të bëhet servil? Duhet çliruar ekonomia nga pengmarrja. Për ju kam një gjë për t’ju thënë: Mendoni sikur keni kotinë e votimit për 4 vite, kë do të votoni, për këta apo kundër tyre?
Votoni kundër tyre për ta çarë sistemin. Si mund të ndryshohet Shqipëria ku për 34 vite drejtohet nga 3 individë, ndërkohë që Amerika ka ndërruar 9 presidentë. Janë të njëjtët njerëz që edhe në Cërrik që drejtojnë dhe e mbajnë peng.
Ndaj, nëse doni që fëmijët tuaj të kenë mundësi, shpartalloni sistemin, që të çlirojmë Shqipërinë, jepuni fund këtyre hajdutëve. Bashkohuni, ta çajmë sistemin, forca!