Politikë

“Do të krijojmë Bankën Agrare Tregtare për fermerët”, Lapaj në Baldushk: Fshati shqiptar do të bëhet një mënyrë jetese dinjitoze

Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, zhvilloi një takim me banorët e Baldushkut, ku prezantoi planin e detajuar të forcës që ai përfaqëson për zhvillimin e fshatit shqiptar dhe mbështetjen e bujqësisë.

Gjatë fjalës së tij, Lapaj theksoi nevojën për ta kthyer fshatin në një mënyrë jetese të denjë dhe tërheqëse, sipas modeleve që aplikohen në vendet e zhvilluara perëndimore. “Në Perëndim, cilësia e jetës kërkohet jashtë qyteteve të mëdha sepse aty ka ambient më të shëndetshëm dhe ushqim më të mirë. Ne duam që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Shqipëri,” tha ai.

LEXO EDHE: Adriatik Lapaj në Grabjan: 500 mijë shqiptarë ikin nga vendi nëse nuk ka ndryshim më 12 maj!

Ai bëri të ditur se koalicioni ka hartuar një program të veçantë për zonat rurale, që përfshin rimbursim për kilogram prodhimi në bujqësi, blegtori, peshkim, bletari dhe sektorë të tjerë të prodhimit vendas. “Deri më sot, paratë e buxhetit i kanë përfituar vetëm një pakicë e lidhur me pushtetin. Kjo duhet të ndryshojë,” theksoi Lapaj.

Një nga pikat kryesore të planit të tij është krijimi i një Banke Agrare Tregtare, e cila do të ofrojë kredi deri në 100 mijë euro për çdo fermer. “Synimi ynë është që çdo i ri shqiptar të mund të ndërtojë fermën e vet mbi tokën e trashëguar, duke jetuar me dinjitet këtu, pa qenë i detyruar të largohet,” u shpreh ai.

Lapaj theksoi se këto ide nuk janë eksperimente të reja, por modele të provuara që kanë funksionuar në vendet ku sot emigrojnë shqiptarët. “Shqiptarët shkojnë punojnë në fermat e ullinjve në Greqi, ndërkohë që ne kemi tokë më të mirë se ata. Është koha që ta shfrytëzojmë,” përfundoi ai.