Performanca e Bad Bunny në pushimin e Super Bowl LX nuk ka sjellë vetëm reagime politike dhe kulturore, por edhe zhurmë në prapaskenat e industrisë së argëtimit.
Sipas një raporti të NewsNation, Jennifer Lopez thuhet se ka mbetur “e tronditur” dhe “e tërbuar” që nuk ishte pjesë e spektaklit të shumëpërfolur.
Shfaqja, e mbajtur më 8 shkurt në Levi’s Stadium, u kthye në një moment historik për muzikën në gjuhën spanjolle në eventin sportiv më të ndjekur në SHBA. Përveç ndikimit kulturor, performanca e artistit portorikan shënoi edhe rekord shikueshmërie, duke u bërë shfaqja më e ndjekur e pushimit të Super Bowl në YouTube brenda 24 orëve.
Jennifer Lopez e njeh mirë emocionin e asaj skene. Në vitin 2020, ajo performoi në show-n e Super Bowl së bashku me Shakira, në një spektakël ku mori pjesë edhe vetë Bad Bunny si i ftuar special. Sipas raportimeve, këngëtarja kishte shpresuar të ishte pjesë edhe e edicionit të vitit 2026.
Megjithatë, publikisht Lopez tregoi mbështetje për artistin portorikan. Para nisjes së eventit, ajo publikoi një mesazh në rrjetet sociale ku shkruante:
Të dërgoj gjithë dashurinë, pozitivitetin dhe përqafimin më të madh në botë… E di që do ia dalesh! Jam këtu me ty siç ishe ti me mua
Ndërkohë, performanca e Bad Bunny vazhdon të dominojë diskutimet edhe javë pas spektaklit, duke u konsideruar një fenomen global, ndërsa debatet se cilët artistë duhet të kishin qenë në skenë mbeten ende të hapura.