Gossip Showbiz

“Jeta e gruas sime u kthye në mjerim absolut” Princi Harry shpërthen me emocione në Gjykatën e Lartë?

Princi Harry nuk i përmbajti emocionet gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Lartë në Londër, në kuadër të padisë së ngritur kundër botuesit të Daily Mail, Associated Newspapers Ltd (ANL).

një moment të ngarkuar emocionalisht, ai deklaroi se jeta e bashkëshortes së tij është shndërruar në një “mjerim absolut” për shkak të ndjekjes së vazhdueshme nga media.

Kjo është paraqitja e tretë e Princit Harry në këtë betejë ligjore, ku ai është pjesë e një grupi personazhesh të njohur publikë që akuzojnë ANL-në për mbledhje të paligjshme informacioni.

Mes paditësve janë Sir Elton John dhe bashkëshorti i tij David Furnish, aktivistja Doreen Lawrence, Sir Simon Hughes, si dhe aktoret Sadie Frost dhe Liz Hurley.

Sipas padisë, informacionet e publikuara në artikuj janë siguruar përmes praktikave të paligjshme, përfshirë përgjime, hyrje të paautorizuara në të dhëna private dhe metoda të tjera të ndaluara. Associated Newspapers Ltd i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat.

Princi Harry kaloi rreth dy orë e gjysmë duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të ANL-së. Më pas, gjatë pyetjeve nga avokati i tij David Sherborne, ai foli hapur për ndikimin personal të kësaj beteje ligjore.

Është gabim të na fusin sërish nëpër këtë, kur e vetmja gjë që kërkuam ishte një falje dhe llogaridhënie. Kjo është një përvojë e tmerrshme

-u shpreh ai.

Në një deklaratë të fortë, Harry theksoi se marrëdhënia e tij me median ka qenë gjithmonë e vështirë dhe se ndjente sikur çdo mendim, ndjenjë apo lëvizje e tij ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm. Ai shtoi se presioni mediatik ka pasur pasoja të rënda edhe në jetën e bashkëshortes së tij.

Nga ana tjetër, avokatët e ANL-së argumentuan se paditësit kishin rrethe shoqërore “të depërtueshme” dhe se informacionet vinin nga burime të ligjshme, si kontakte gazetarësh, zyrtarë të marrëdhënieve me publikun dhe fotografë.

Avokati Anthony White deklaroi gjithashtu se padia ishte ngritur shumë vonë dhe mohoi çdo mbledhje të paligjshme informacioni për Princin Harry.

Gjyqi pritet të përfundojë në mars, ndërsa vendimi do të shpallet më vonë në formë të shkruar.