Music

John Cale, Marc Jacobs, Martin Scorsese/ Charli XCX prezanton albumin e ri me emra të mëdhenj në kopertinë!

Këngëtarja dhe kompozitorja britanike Charli XCX ka njoftuar publikimin e albumit të saj të ri, “Music, Fashion, Film”, i cili pritet të dalë më 24 korrik. Projekti vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të albumit Brat, i cili në vitin 2024 u shndërrua në një fenomen kulturor dhe i solli artistes tre çmime Grammy.

Në përputhje me titullin e albumit, kopertina përfshin tre figura ikonike nga fusha të ndryshme artistike: muzikantin legjendar John Cale, stilistin e njohur Marc Jacobs dhe regjisorin e famshëm Martin Scorsese. Secili prej tyre simbolizon tre shtyllat kryesore që frymëzojnë albumin: muzikën, modën dhe filmin. Fotografia promovuese është realizuar nga fotografi Aidan Zamiri dhe është publikuar nga vetë artistja në rrjetet sociale, ku ajo konfirmoi edhe datën zyrtare të publikimit.

Albumi i ri shënon një drejtim të ri artistik për Charli XCX. Artistja ka deklaruar se dëshiron të largohet nga tingulli që karakterizoi “Brat”, duke eksploruar territore të reja krijuese dhe duke eksperimentuar me identitete të ndryshme muzikore.

Deri tani janë publikuar dy këngë nga albumi: Rock Music dhe SS26. Veçanërisht “Rock Music” ka ngjallur reagime të ndryshme mes kritikëve dhe publikut. Kënga paraqet një largim të dukshëm nga muzika elektronike që e bëri të famshme artisten, duke përfshirë elemente të rock-ut alternativ dhe një qasje më provokuese në tekst dhe estetikë.

Edhe videoklipi shoqërues ka nxitur diskutime, pasi përdor me vetëdije klishe të kulturës rock për të krijuar një atmosferë ironike dhe sfiduese. Disa e kanë parë si një satirë të zgjuar, ndërsa të tjerë si një eksperiment që nuk arrin plotësisht objektivin e tij.

Pavarësisht polemikave, pritshmëritë për “Music, Fashion, Film” mbeten të larta. Pas suksesit të “Brat”, publiku dhe industria muzikore po ndjekin me interes hapin e radhës të një prej artisteve më ndikuesе të muzikës pop bashkëkohore.