Justin Bieber ka ndezur debatet në rrjetet sociale pas publikimit të disa fotove në Instagram, ku shfaqet me djalin e tij nëntëmujor, Jack Blues, ndërsa pi marijuanë.
Ylli 31-vjeçar i muzikës pop ndau me ndjekësit disa momente nga përditshmëria e tij, duke shkruar në mbishkrim:
Do të jetë një verë e mirë
Në disa nga fotot, Bieber shihet teksa luan me të birin në divan, por në të tjera ai shfaqet duke tymosur një cigare bashkë me një mik, në të njëjtin ambient.
Postimet shkaktuan menjëherë polemika në internet.
Disa përdorues vunë re se këngëtari kishte veshur të njëjtat pantallona të shkurtra në të dyja fotot – si kur luante me të birin, ashtu edhe kur konsumonte marijuanë – duke ngritur shqetësime mbi mjedisin rreth fëmijës.
Po përdor drogë ndërkohë që fëmija është pranë?
-komentoi një ndjekës i shqetësuar.
Mos pi duhan para fëmijës tënd
-shkroi një tjetër.
Disa shkuan edhe më tej, duke e kritikuar publikisht:
Bëhu një baba më i mirë
Pavarësisht komenteve negative, ka pasur edhe fansa që e kanë mbështetur këngëtarin, duke i uruar një verë të bukur me familjen.
Megjithatë, postimet e fundit të Bieber kanë rikthyer vëmendjen mbi sjelljen e tij në publik dhe ndikimin që ajo mund të ketë tek fëmijët dhe fansat e tij të rinj.