Aktualitet

“Ka autor por ka edhe bashkëpërgjegjës”, Presidenti Meta reagon ashpër për vrasjen e të miturit në Fier.

Presidenti Ilir Meta thotë se vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, “është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi”.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, “ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale”.

Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë.

Kreu i shtetit bën apel që të ndërmerren nisma konkrete për të parandaluar në të ardhmen ngjarje të tilla shokuese.

Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar.

Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo.

Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen!, shkruan Meta.