I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që ne duhet të kemi për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…
Prof. Dr. Altin Veshti një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek i cili punon në të gjithë botën por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë.
Shpeshherë ndodh që në operacionet e zemrës të aplikohen disa teknika mini-invazive sa i përket kirurgjisë së zemrës. Kjo teknikë për çfarë shërben?
Teknika mini-invazive është një teknikë alternative nga hapja e gjoksit. Një teknikë në radhë të parë estetike. Nga aty ne bëjmë ndërhyrjet që mund të jenë korrigjim i valvulave mitrale, korigjim i një defekti të lindur, zëvendësim i një valvule të aortës. Aktualisht bëhen edhe bypass-et por me incizion nga ana e majtë. Kurse ato që ti përmende është ajo që quhet kirurgjia Torakoskopia që bëhet me vrima. Ne nuk kemi një aparat të tillë për të bërë torakoskopinë, nuk ekziston në Shqipëri një aparat i tillë në asnjë qendër. Po flas për kardiokirurgjinë sepse laparoskopia bëhet në mënyrë ekselente në QSUT nga një sërë kirurgësh. Për kardiokirurgjinë nuk ekziston akoma. Në Europë ekziston në pak qendra, nuk është diçka rutinë. Në qendra shumë elitë. Është një ëndërr ose një target, pra objektiv i imi për ta bërë në të ardhmen. Jam i vendosur absolutisht.