Kelly Osbourne është rikthyer për herë të parë në televizion pas vdekjes së babait të saj, legjendës së Black Sabbath, Ozzy Osbourne, dhe emocionet e saj ishin të papërmbajtshme.
Gjatë intervistës në BBC Breakfast, 41-vjeçarja shpërtheu në lot teksa kujtonte figurën e ikonës së heavy metalit dhe homazhet që qyteti i Birminghamit i ka bërë artistit.
Ozzy ndërroi jetë më 22 korrik, pas një beteje të gjatë me Parkinsonin, vetëm dy javë pas koncertit të tij të fundit në Villa Park.
Në ditëlindjen që do të kishte mbushur 77 vjeç, ai u nderua me Lord Mayor’s Award, çmimin më të lartë qytetar të Birminghamit, i dorëzuar nga Zëvendës Lord Mayor Ken Wood.
Kelly tha se ky vlerësim ishte jashtëzakonisht domethënës për familjen:
Ai e donte këtë qytet. Ishte një Brummie i vërtetë dhe la një gjurmë në këtë planet që nuk do të fshihet kurrë.
Ajo rrëfeu se mbështetja e fansave ka qenë vendimtare për ta ndihmuar familjen të përballojë humbjen. Mijëra njerëz dolën për të nderuar Ozzy-n, vendosën lule pranë Black Sabbath Bench në Broad Street dhe krijuan një atmosferë prekëse në kujtim të tij.
Dashuria që ndjemë atë ditë ishte e pabesueshme
-u shpreh Kelly.
Sharon dhe Kelly Osbourne, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, e pranuan çmimin me emocion të madh dhe ia kushtuan Ozzy-t një mesazh të thjeshtë, por të ndjerë:
Të duam, babi. Me dashuri, Louis, Aimee, Kelly dhe Jack.
Ozzy Osbourne, me më shumë se 100 milionë albume të shitura, mbetet një nga figurat më të mëdha të heavy metalit dhe një simbol i përjetshëm i kulturës së Birminghamit.