Të ftuar në “Live From Tirana” me Edea Demaliaj, kanë qenë grupi Shkodra Elektonike, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca. Me këngën e tyre “Zjerm”, ata përfaqësuan denjësisht Shqipërinë në Eurovision 2025 dhe fituan zemrat e gjithë publikut. Shkodra Elektronike erdhën me një rrëfim të sinqertë mbi ndjesitë e tyre, emocionet, por dhe shumë detaje të tjera të pathëna… Në intervistë ishte po ashtu dhe Lek Gjeloshi, i cili së bashku me Shkodra Elektronike, kanë shkruar tekstin e këngës “Zjerm”.
Si erdhi kënga “Zjerm”?
Beatriçe: Kola më tha që të provoja të shkruaja një këngë për festival. Se këngët e albumit nuk ishin shumë për festival, kanë një mënyrë dhe strukturë që nuk është për festival. Atëherë pasi më tha Kola që të provoja të shkruaja një këngë për festival, nisa të shkruaja “Zjerm” dhe ia nisa demon. Teksti i pjesës sime është bërë nga unë, kurse pjesa e Kolës është bërë nga Lekë Gjeloshi.
Leka: Unë e kam shkruar për shkak të marrëdhënies që kam me gjuhën, edhe kryesisht me dialektin geg, të cilën e flasim të tre. Kjo gjuhë ka një komponent të brendshëm fonetik muzikor shumë të fortë, e cila u lidhte ngushtë edhe me timbrin që ka Kola. Pastaj dhe me narracionin që kishte filluar të shkruante Beatriçe, me imazhet e saj më të pastra e më ideale. Tek momenti i Kolës u bënte e nevojshme edhe prej zhvillimit muzikor me sintetizatorët, të futej diçka më e errët, më shkundëse. Diçka që ruan gjuhën e eposit tonë, letërsisë sonë epike, deri tek ajo modernia dhe më hermetikja, ku gjërat janë më të kriptuara, por që të lënë atë shijen e perceptimit. Në këtë sens është përdorur fjala “Zjerm” sepse ka diçka përfshirëse, të brendshme. Duke qenë dhe unë fans i muzikës pak më rock, më pëlqente të kisha një komponent të fortë. Deri diku Migjen-ian, në kuptimin thirrmor të fjalës, një revoltë, që më pas Kola e zhvillonte me teatralitetin e vet statik.